Si të pajiseni me Licencë ose Autorizim

Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes (AIM) është institucioni që pajis me licencë dhe autorizim për prodhimin, tregtimin, transportin, magazinimin, kërkimin dhe zhvillimin e produkteve ushtarake dhe teknologjive.

  • Licenca – për të ushtruar aktivitetet e prodhimit, tregtimit, transportit dhe magazinimit.
  • Autorizimi – për kërkim dhe zhvillim të pajisjeve dhe teknologjive ushtarake.

Referuar Vendimit nr. 793, datë 19.12.2024 “Për licencat dhe autorizimet e lëshuara nga Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes”, Kreu II, pika 3; Kreu III, pika 2; Kreu IV, pika 2, përfshihen mallrat e mëposhtme:

    • Armë (ML 1, ML 2)
    • Municione (ML 3, ML 4)
    • Mjete luftarake dhe mjete mbrojtëse (ML 6, ML 9, ML 10)
    • Sisteme dhe pajisje ushtarake (ML 5, ML 11, ML 12, ML 15, ML 19)
    • Pajisje për mbrojtje dhe mbështetje (ML 7, ML 13, ML 14)
    • Teknologji të avancuara dhe software (ML 20, ML 21, ML 22)
  • Plotësoni formularin: Operatori ekonomik duhet të shkarkojë dhe plotësojë formularin e aplikimit të miratuar nga AIM, i cili është i disponueshëm në faqen zyrtare.
    • Në formular, duhet të plotësohen të gjitha seksionet e parashikuara, përfshirë të dhënat bazë të kompanisë dhe bashkëngjitjen e një kopjeje të QKB-së për të evidentuar objektin e veprimtarisë.
    • Duhet të përcaktohet lloji i licencës, fusha e veprimtarisë dhe mallrat që do të prodhohen, tregtohen, magazinohen ose transportohen, sipas Vendimit nr. 793, datë 19.12.2024, si dhe të deklarohen artikujt sipas VKM-së nr. 511, datë 01.08.2024 “Për miratimin e listës së përditësuar të mallrave ushtarake dhe listës së artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë, objekt i kontrollit shtetëror të transferimeve ndërkombëtare”.
  • Lehtësimi i sigurimit të dokumenteve: Referuar Vendimit nr. 793, datë 19.12.2024, Kreu VII, pika 2, operatori ekonomik autorizon AIM që, përmes ndërveprimit institucional, të sigurojë dokumentacionin e kërkuar për licencim.

⚠️ Kujdes: Nëse mungon ndonjë element ose formulari nuk është plotësuar si duhet, AIM do ta njoftojë subjektin për të bërë korrigjimet.

  • Bashkëngjitni dokumentet: Formulari i aplikimit duhet të shoqërohet me dokumentet sipas kritereve të përcaktuara në Vendimin nr. 793, datë 19.12.2024. Në Kreun V gjenden kriteret e përgjithshme për dhënien e licencave dhe autorizimeve, ndërsa në Kreun VI dokumentacioni specifik për plotësimin e tyre.
  • Afatet e aplikimit, vlefshmëria dhe tarifat:
    • Afatet e shqyrtimit përcaktohen në Kreun VIII, pika 1 dhe 2 të Vendimit nr. 793, datë 19.12.2024.
    • Në rast se dosja e aplikimit nuk është e plotë, operatorit ekonomik i jepen 30 ditë për të plotësuar mangësitë (Kreu VII, pika 3). Afati i shqyrtimit rifillon pas dorëzimit të dokumentacionit të plotë. Nëse mangësitë nuk plotësohen, AIM vijon me shqyrtimin e dosjes me dokumentacionin ekzistues.
    • Afati mund të shtyhet deri në 20 ditë në rast se verifikimi i sigurisë përfshin individë ose subjekte të huaja (Kreu VIII, pika 2).
    • Vlefshmëria e licencave ose autorizimeve është përcaktuar në Kreun VIII, pika 3.
    • Për operatorët ekonomikë, aksionar i të cilëve është shoqëria shtetërore e prodhimit të armatimit ushtarak, afati i licencës dhe autorizimit lidhet me vlefshmërinë e marrëveshjes së bashkëpunimit.
  • Tarifa e aplikimit: Operatorët ekonomikë duhet të paguajnë 100 000 (njëqind mijë) lekë, sipas Kreut VIII, pika 4 të Vendimit nr. 793, datë 19.12.2024.
    • ⚠️ Mosparaqitja e dokumentit bankar që vërteton pagesën e tarifës së aplikimit, bashkëngjitur formularit, bën që dosja të konsiderohet e paplotë dhe AIM nuk do të nisë shqyrtimin.
    • Operatorët e licencuar duhet të paguajnë gjithashtu tarifat vjetore të përcaktuara në Kreun VIII, pika 5 të Vendimit nr. 793, datë 19.12.2024.
    • Kjo tarifë nuk aplikohet për operatorët ekonomikë, aksionar i të cilëve është shoqëria shtetërore e prodhimit të armatimit ushtarak.
  • Dërgoni aplikimin: Aplikimi dorëzohet fizikisht pranë AIM-së (me shkresë zyrtare).