Është rregullimi i aspekteve teknike dhe procedurale që lidhen me markimin dhe gjurmimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake, përfshirë përcaktimin e kritereve dhe rregullave përkatëse, modelin e etiketës apo pullës unike të identifikimit, si dhe kompetencat e autoritetit përgjegjës për realizimin dhe mbikëqyrjen e këtyre proceseve.
Markimi i armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake kryhet në përputhje me specifikimet teknike të përcaktuara në këtë vendim.
Markimi duhet të realizohet në sipërfaqe të dukshme dhe në vende të përcaktuara teknikisht nga ky vendim si dhe të jetë i përhershëm.
a) Qëndrueshmëri fizike dhe kimike ndaj kushteve të përdorimit;
b) Lexueshmëri në çdo moment gjatë ciklit të jetës së produktit;
c) Siguri kundër manipulimit, fshirjes, falsifikimit, apo ndërhyrjeve të paautorizuar
ç) Integrim me sistemet elektronike të gjurmimit.
Çdo subjekt i licencuar për prodhimin, tregtimin, magazinimin ose transportin e armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake është i detyruar të krijojë dhe përdorë një platformë të brendshme elektronike për gjurmimin dhe regjistrimin e produkteve që trajton, në përputhje me kërkesat teknike të përcaktuara nga Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes.
a) Regjistrimin unik dhe të detajuar të çdo njësie armësh, municioni apo pajisjeje, përmes një identifikuesi të veçantë që përfshin: emrin e prodhuesit, numrin serial, vendin dhe datën e prodhimit, si dhe klasifikimin ushtarak;
b) Verifikimin në kohë reale të gjendjes dhe lëvizjes së njësive të regjistruara, përmes integrimit me pajisje të gjurmimit elektronik dhe sisteme të tjera të mbikëqyrjes;
c) Gjenerimin e raporteve periodike dhe analitike mbi sasinë, itineraret, devijimet, përdorimin dhe ngjarjet kritike;
ç) Sinjalizimin automatik të çdo devijimi nga itinerari i autorizuar, manipulimi i paautorizuar apo shkelje e procedurave të sigurisë, përmes aktivizimit të alarmeve dhe njoftimit të menjëhershëm të strukturave të brendshme të sigurisë dhe të Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes;
d) Sigurimin e integritetit dhe mbrojtjes së të dhënave, sistemeve dhe rrjeteve digjitale, në përputhje me legjislacionin për sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e informacionit të klasifikuar;
dh) Ruajtjen e kopjeve rezervë (backup) të të dhënave në mënyrë të sigurt dhe të verifikueshme;
e) Zbatimin e planit të rikuperimit në rast katastrofash dhe garantimin e vazhdimësisë së funksionimit të sistemit përmes një plani të miratuar të vazhdimësisë së biznesit;
ë ) Subjekti i licencuar është përgjegjës për mirëmbajtjen, përditësimin dhe auditimin periodik të platformës së tij të gjurmimit, si dhe për sigurimin e aksesit të autorizuar të Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes për qëllime inspektimi dhe kontrolli.
Subjektet e licencuara për prodhimin, importimin, tregtimin, magazinimin ose përdorimin e armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake janë të detyruara të regjistrojnë dhe të përditësojnë në mënyrë të vazhdueshme të dhënat për çdo njësi për të cilën mbajnë përgjegjësi, në përputhje me kërkesat e përcaktuara nga Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes. Regjistrimi përfshin të dhëna të detajuara për identifikimin dhe gjurmimin e çdo njësie, përfshirë: emrin e prodhuesit, numrin serial, datën dhe vendin e prodhimit, llojin dhe kalibrin, lotin e prodhimit, si dhe çdo informacion tjetër të nevojshëm për qëllime sigurie dhe transparence. Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes administron dhe ruan të dhënat e dërguara nga subjektet, pa ndërhyrë në përmbajtjen e tyre, duke garantuar integritetin, sigurinë dhe gjurmueshmërinë e informacionit të regjistruar. Subjektet janë përgjegjëse për saktësinë, përditësimin dhe përputhshmërinë e të dhënave të regjistruara me aktivitetin real të tyre, si dhe për sigurimin e aksesit të autorizuar të Agjencisë për qëllime inspektimi dhe kontrolli.
Gjurmimi i çdo njësie armësh, municioni apo pajisjeje ushtarake realizohet përmes Platformës Qendrore të Gjurmimit, e cila mbulon të gjitha fazat e ciklit të jetës së produktit, përfshirë prodhimin, regjistrimin fillestar të gjendjes, magazinimin, transportin, shpërndarjen, përdorimin dhe asgjësimin. Sistemi regjistron në mënyrë të automatizuar dhe të menjëhershme çdo regjistrim fillestar të gjendjes, çdo transaksion, ndryshim pronësie, transferim apo modifikim statusi të njësive të regjistruara, duke garantuar integritetin, pandryshueshmërinë dhe gjurmueshmërinë e të dhënave.Platforma Qendrore e Gjurmimit mundëson gjenerimin e raporteve të personalizuara sipas periudhave kohore, llojit të produktit, subjektit të përfshirë apo fazës së ciklit të jetës, duke përfshirë grafikë të lëvizjes dhe sinjalizime për devijime nga itineraret apo procedurat e autorizuara.